Ad image

A do ta votonte VV-ja vettingun po ta inicionte një parti tjetër?

Kosova News
Kosova News 19:09 -13/06/2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kur Komisioni i Venecias e ka parë këmbëngulësinë e tyre për përmbyllje të një reforme të rëndësishme në drejtësi, i kanë mirëkuptuar për shtyrjen e draftin e opinionit.

“Ne kemi pritur në takime raportuesit përgjegjës për çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe jemi ndarë të kënaqur me takimet që kemi pasur, rrjedhimisht kjo na bën që të jemi optimist për draftin e opinionit, gjegjësisht për opinionin e radhës, sepse ne në muajin mars kemi pasur një draft të opinionit por nuk është që kemi qenë të kënaqur, dukej që nuk jemi kuptuar drejt dhe qartë për nevojën që ka Kosova për ta bërë vettingun, prandaj kemi kërkuar shtyrje ndonëse praktikat e komisionit të Venecias nuk lejojnë kërkesa të tilla, megjithatë kur kanë parë këmbëngulësinë dhe vullnetin tonë për ta përmbyllur një reformë që është jashtëzakonisht e rëndësishme kemi hasur në mirëkuptimin e tyre.”

“Aty pak a shumë ka qenë një qëndrim i ngjashëm të cilin edhe e mban aktualisht zyra e Bashkimit Evropian, gjegjësisht në raportin për vendin që është thënë që vettingu të jetë vetëm si masë e fundit, domethënë ne kemi besuar që mjaftueshëm i kemi pritur mekanizmat aktual, është ndoshta më shumë se një dekadë prej kur Kosova ka bërë ndryshime të vazhdueshme ligjore për të përmirësuar edhe mekanizmat disiplinorë por edhe përkundër faktit që janë ndryshuar ato, ne nuk kemi parë rezultate konkrete, sepse konsideroj që problemin më të madh e kemi te nivelet më të larta. Dhe në momentin kur ne arrijmë që të kemi një verifikim nga nivelet e larta besoj që situata do të përmirësohet më tutje. Prandaj, jashtëzakonisht jam falënderuese që na kanë mundësuar që ta bëjmë këtë shtyrje se pastaj periudha ndërmjet marsit dhe qershorit neve na ka shërbyer që përveçse të takohemi me raportuesit e komisionit të Venecias, ne të takohemi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për t’i njoftuar në detaje në raport me reformën në drejtësi.

Jam shumë e hapur që pas votimit të opinionit për vettingun, pra më 17 qershor, të vazhdojmë diskutimet edhe me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë sepse duket që ka një konsensus në vend që të respektohen rekomandimet e komisionit të Venecias, pavarësisht që ato nuk janë obligative, por unë mendoj që Kosova duhet të jetë shembull që ne respektojmë standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut”.

Mundësia e mosrealizimit të vettingut, sipas ministres Haxhiu, do të ndikonte edhe në ikjen e qytetarëve nga vendi.

“Druaj që nëse nuk ka veprime serioze në këtë drejtim, atëherë qytetarët tanë do të detyrohen ta lëshojnë vendin e tyre”./Klan Kosova/

Shpërndaje