Për tri ditë radhazi, në Rahovec u manifestua “Hardh Fest”, një nga festivalet tashmë traditë në Kosovë.
Festivali u shoqërua me aktivitete ditore dhe koncerte, të cilat u organizuan me 2, 3 dhe 4 shtator.
Ky edicion mblodhi audiencë nga Kosova dhe jo vetëm, ndërsa kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, e ka konsideruar si edicionin më të suksesshëm deri më tani.
“Edicioni më i suksesshëm i Festës së Vjeljes së Rrushit, festivalit “Hardh Fest”, u përmbyll me sukses. Për tri ditë rresht, me 2, 3 dhe 4 shtator, qytetarë nga mbarë Kosova dhe jashtë saj, u kënaqën me aktivitetet e shumta ditore dhe koncertet e tri netëve që kishin përgatitur për sivjet organizuesit e festivalit “Hardh Fest”” shkroi Latifi në Facebook.
““Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër. Mbështetja e Komunës së Rahovecit për “Hardh Fest”-in vetëm se do të rritet viteve në vijim” shtoi ai.
Kryetari Latifi falendëroi bashkëpuntorët dhe Këshillin organizues të festivalit, duke konfirmuar se i njëjti do të mbahet edhe vitin e ardhshëm.