Ad image

Osmani i dorëzon medaljen ish-ministrit gjerman që ia kishte akorduar Rugova

Alban Begolli
Alban Begolli 16:25 -15/06/2022

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të mbajtur në Presidencë, me motivacionin për kontribut për lirinë e Kosovës ia ka dorëzuar Medaljen Urdhri i Lirisë, ish-ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping.

Kjo Medalje i është akorduar Scharping në vitin 2004 nga ana e Presidentit Ibrahim Rugova, porse nuk i është dorëzuar asnjëherë njofton zyra e Presidencës.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1999, Scharping kishte përkrahur intervenimin e NATO-s, teksa në ditarin e tij “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”, ka paraqitur zhvillimet politike të këtij misioni.

Presidentja Osmani ka theksuar se dekorimi i ish-ministrit gjerman përkon me 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës, për të cilën ai ishte meritor.

“Siç thoshte presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, shtëpia nuk mbahet pa miq. Kjo dekoratë dëshmon se Kosova di t`i nderojë miqtë, ata që në orët e errëta të historisë i dolën në krah. Z. Scharping është njëri nga meritorët për lirinë që e gëzojmë. Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës ndaj angazhimit të tij për lirinë tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Kurse Scharping ka falënderuar Presidenten Osmani për dekorimin, duke theksuar se është i nderuar që kontributi i tij vlerësohet nga institucionet dhe populli i Kosovës.

Shpërndaje