Ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në SHBA, Uk Lushi, ka kaluar Atlantikun për të shkuar në vizitë te bashkëluftëtarët e tij që po gjykohen në Hagë.
Lushi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se procesi i Gjykatës Speciale, po kalon me shkelje të rënda të te drejtave të njeriut me procedura të paprecedent.
“Sërish kalova Atlantikun për t’u takuar me UÇK-në. Kalova një ditë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn në Hagë. Kam qenë i bindur që në Gjykatën Speciale përmes një procesi fer njerëzit e UÇK-së do të dalin të pafajshëm ashtu siç janë. Fatkeqësisht, ky proces po kalon me shkelje të rënda të drejtave të njeriut, me procedura të paprecedent”, ka thënë Lushi.
Ai tha se, Haga është betejë për mbrojtjen e interesit nacional dhe se nuk ka asnjë forcë që mund ta ndryshojë historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.
“Beteja në Hagë është betejë për mbrojtjen e interesit nacional. Haga duhet të na bashkojë rreth luftës së popullit të Kosovës për liri dhe përparim. Nuk ka forcë që mund ta ndryshojë historinë e Kosovës dhe shqiptarëve”, ka përfunduar Lushi.