Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë historike për Ukrainën, uron që populli heroik ukrainas të qëndrojë i fortë dhe të vazhdojë ta mbrojë vendin e tij
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar letër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në ditën kombëtare të shtetit ukrainas.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Osmani ka thënë se Kosova qëndron krah Ukrainës dhe popullit të saj në çdo veprim derisa fitorja e luftës t’i shkojë Ukrainës.
“Letra ime drejtuar presidentit Zelensky dhe popullit ukrainas në ditën e tyre kombëtare. Ne jemi me ju në shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka thënë se e ndajnë dhimbjen e popullit ukrainas të cilët po vuajnë nga krimet dhe gjenocidi rus.
“Ne e dimë se si ndihet të jesh një objektiv i një regjimi gjenocidal dhe hegjemonist, dhuna e të cilit është njëkohësisht brutale dhe pa dallim”, ka shkruar më tej Osmani.
My letter to President @ZelenskyyUa & the Ukrainian people on their national day.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) August 24, 2022
We’re with you in spirit, we’re with you in action, and we’ll be with you until Ukraine wins.
Slava Ukraini! ???? pic.twitter.com/29SYbOQ7PE
Ajo ka shprehur gatishmërinë për mbështetje me çdo kapacitet që ka Kosova, teksa ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve të menjëhershme ndaj Rusisë.
“Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të lidhjes sonë të miqësisë dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. Kam besim se një ditë do të ulemi të barabartë në familjen evropiane, jo vetëm duke bashkëjetuar në paqe, por duke lulëzuar në liri, prosperitet dhe demokraci”, shtoi ajo.