Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Çeki është takuar me zëvendëskryeministrin e Holandës, njëherësh ministër i Jashtëm, Wopke Hoekstra.
Në njoftimin e presidencës thuhet se temë qendrore e diskutimit në këtë takim ishte procesi i liberalizimit të vizave.
Osmani ka ritheksuar se Kosova tash e sa kohë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka kërkuar mbështetjen holandeze.
“Osmani i ka bërë thirrje Holandës që së bashku me shtetet e tjera anëtare të BE-së të angazhohen që liberalizimi i vizave për Kosovën të marrë epilog gjatë presidencës çeke. Presidentja kërkoi mbështetjen holandeze për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe në NATO”.
“Po ashtu, në këtë takim Osmani dhe Hoekstra diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe Evropë, si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton KosovaNews.