Shkruan: Ejup Gojnovci
“Shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi po bëjnë përpjekje të marrin veriun e Kosovës”.
Kështu tha ditë më parë Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Veriu i Kosovës, nuk është një tokë e huaj për Kosovën, andaj edhe pronën e tij askush nuk ka pse ta merr. Atë e kishte dhe e ka. S’ka logjikë e thëna e Vuçiq, por ka ndikim e është e poshtër sa vet ai.
Porse, përtej kësaj idiotësie, pse nga BE dhe nga ndërmjetësuesi në bisedimet mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, nuk ka asnjë reagim?
Institucionet e Kosovës, në veriun e vendit po mundohen, dhe e kanë, pos të drejtë edhe obligim, ta kthejnë normalitetin në atë pjesë të vendit.
Për Vuçiqin dhe edhe ndonjë argat të tij politik e biznesor brenda Kosovës, veriu paraqet parajsën e manipulimit politik me serbët e Kosovës dhe shtratin e çiftëzimit të parasë së pistë.
Deklarimi i Vuçiq është nxitje publike për qytetarët serb të Kosovës, që të kundërshtojnë çdo përpjekje për vendosje të rendit ligjor. Është thirrje serbëve për kundërshtim, është thirrje kriminale.
BE e di këtë andaj edhe do të duhej të fliste, sepse Kosova ka të drejtën e plotë, sikur çdo shtet, të ushtrojë të drejtën sovrane mbi territorin e vet.
BE e Lajçak me heshtje karshi deklarimeve të tilla të Vuçiq, që nuk janë të rralla, trimëron atë duke i dhënë zë zhurmës së tij që për synim ka zhbërjen e vendosjes së rrethanave normale në këtë pjesë të Kosovës. Heshtje e BE-së, kumbon më shumë se broçkullat e Vuçiqit i cili i llomotitë ato sa herë do, meqë askush nga BE asnjëherë nuk e kundërshton.