Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, sot do të vizitojë Republikën e Kosovës.
Kështu njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa bën të ditur se kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, do ta pres atë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”.
Pas përfundimit të takimit nga ora 12:30, të dy ministrat do të mbajnë edhe konferencë për media, raporton KosovaNews
Në njoftim gjithashtu thuhet se kryeministri Albin Kurti, do të shtrojë drekë për ministrin grek Dendias.
Denidas gjatë qëndrimit në Prishtinë, pritet të takohet edhe me pjesëtarët e kontingjentit grek të KFOR-it.
Diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në bashkëpunimin Athinë-Prishtinë në një gamë të gjerë fushash, si ekonomia, energjia, kultura dhe shëndetësia, si dhe zhvillimet rajonale, duke përfshirë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimet në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë.
Kujtojmë se ministri grek vizitën e fundit në Kosovë e pati në muajin qershor, ndërkaq kjo është vizita tij e dytë brenda këtij viti në Prishtinë.
Ai kishte vizituar Kosovën edhe në tetor të vitit 2020 dhe në qershor 2021.