Festivali “Sunny Hill”, i paraparë të mbahej në Prishtinë, do të zhvendoset në Tiranë, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ua ka kthyer përgjigjen definitive organizatorëve për dhënien e tokës në shfrytëzim.
Në një njoftim zyrtar në “Facebook”, organizatorët thonë se data e festivalit nuk ka ndryshuar dhe se ajo do të mbahet nga data 4 deri më 7 gusht.
“Ne duam të informojmë të gjithë mbajtësit tanë të biletave se biletat e tyre janë të vlefshme për “Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edition”, ndërsa ata që nuk mund të marrin pjesë në Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat e tyre”, thuhet në postim.
Postimi i plotë:
Të njëjtat data, e njëjta përvojë e bukur, vendndodhja e ndryshme!
Këtë gusht (për shkak të vonesave nga autoritetet në sigurimin e licencave të nevojshme për vendndodhjen), jemi të detyruar të shkojmë në Tiranë.
Ne duam të informojmë të gjithë mbajtësit tanë të biletave se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edition, ndërsa ata që nuk mund të marrin pjesë në Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat e tyre. (Dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik. Më shumë detaje dhe udhëzime do të jepen në ditët në vijim.)
Tiranë, ja ku kemi ardhur!