Ad image

Promovohet libri “UÇK përballë shpifjeve” i gjeneralit Kudusi Lama

Kosova News
Kosova News 17:46 -09/06/2022

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” sot është promovuar libri “UÇK përballë shpifjeve” me autor gjeneralin shqiptar, Kudusi Lama, libër i cili i kundërvihet gjykimit që Gjykata Speciale në Hagë po bën ndaj ish-liderëve të UÇK-së dhe ish-liderëve të Kosovës.

Redaktori i këtij libri, Arben Veselaj, tha se ky libër i kundërvihet raportit famëkeq të ish-senatorit dhe ish-prokurorit zviceran, Dick Marty, si dhe Gjykatës Speciale. Gjeneral Lama përmes këtij libri ngreh shqetësimin se si ndërgjegjja politike dhe intelektuale e shqiptarëve për tërë këto vite nuk po arrin të ofrojë fakte dhe dëshmi, për t’i rrëzuar pretendimet monstruoze të përfaqësuesve të drejtësisë ndërkombëtare me seli në Hagë.

“Është një analizë gjithëpërfshirëse politike e juridike e aspekteve ushtarake i bazuar dhe argumentuar i krahasuar mbi fakte dhe dokumente autentike. Ky libër si rrallë ndonjë libër deri më tani me informacionet e argumentuara dhe të mbështetura në një dokumentacion të sistemuar i kundërvihet në radhë të parë Raportit famëkeq të ish-senatorit dhe ish-prokurorit zviceran, Dick Martit dhe Gjykatës Speciale ku po gjykohen padrejtësisht protagonistët kryesor të luftës së UÇK-së. Më tej, libri bënë kundërshti edhe tw dokumenteve politike dhe propagandistike të sponsorizuara nga shteti serb kundër luftës së UÇK-së siç është ai me titull ‘Engjujt e zi të skëterrës’… Me përmbajtjen dhe me mesazhin libri i tij, Kudusi Lamës, ‘UÇK përballë shpifjeve’ mund të interpretohet edhe si një kundërvënie ndaj gjithë armiqve ndërkombëtar të Kosovës… Libri i Kudusi Lamës besoj që do të ushtrojë ndikim në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër liderëve të UÇK-së. Duke konsideruar se drejtësia e Gjykatës Speciale tani për tani ndodhet e ndikuar dhe e influencuar nga Prokuroria serbe”, u shpreh ai.

Ish-deputetja e PDK-së, Flora Brovina, u shpreh se përmes këtij libri, autori i kundërpërgjigjet Gjykatës Speciale e cila me trysni u themelua nga Evropa. Sipas saj, këto të dhëna në librin “UÇK përballë shpifjeve” plotësojnë mozaikun ku shpaloset hipokrizia evropiane.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ushtri e pranuar ndërkombëtarisht nuk kemi tjetër çka të themi pasi lufta e saj çlirimtare është luftë për liri… Në veprën shumë domethënëse të autorit Kudusi Lama ‘UÇK përballë shpifjeve’ përveç shqyrtimit të shtjelluar të raportit të Dick Martit ai ka analizuar me kujdes edhe qëndrimet e rrethanave kryesore të Evropës së bashkuar ndonëse duke u çuditur se si është e mundur të ketë ende mentalitet të tillë në çerdhe të Evropës vendosur mbi baza shpifjet e Serbisë dhe të senatorit zviceran është hartuar ky material mbi bazë të materialeve kryekëput serbe. Kudusi Lame po ashtu ushtar i lirisë së Kosovës, i lirisë së Shqipërisë, i lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me veprën e tij sjell shumë argumente të ngjashme në mesin e dosjeve serbe dhe të raportit të Dick Martit”, u shpreh Brovina.

Ramë Buja tha se përmes këtij libri autori argumenton shpifjet dhe trillimet që po i bëhen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe krerëve të saj.

“Ky libër i Kudusi Lamës i botuar këtë vit është një uragan tronditës në ato që i gjen brenda tij në rolin e shpifjeve, trilleve, shpifjeve që po i bëhen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veçanti udhëheqësve të saj dhe polit tjetër që i kundërvihet dhe i përgjigjet arsyeshëm argumentueshëm, rrufeshëm, bindshëm këtyre tendencave komprometuese fyese denigruese që i bëhen atyre që i sollën lirinë Kosovës dhe popullit të saj… Qëllimi i autorit të këtij libri është shumë fisnik, ta rivendos të vërtetën aty ku ishte dhe për të cilën u angazhua një bëtë e tërë politikisht dhe ushtarakisht në mbështetje të një lufte të pastër çlirimtare kundër një barbarie e gjenocidi të paparë pas luftës së dytë botërore”, theksoi ai.

Autori i librit “UÇK përballë shpifjeve”, Kudusi Lama, u shpreh se ndihet i shqetësuar se Gjykata Speciale po bënë ligjet mbi shtetin e Kosovës dhe nuk po jep llogari.

“Jam i shqetësuar se procesi po vazhdon me intensitet të shtuar antishqiptar duke shfrytëzuar pikërisht këtë gjykatë që quhet e Kosovës por që institucioneve të Kosovës u ka dal nga dora dhe po bënë ligjin mbi Kosovën, çka nuk e di se si funksionojnë ligjet ndoshta juristët dinë t’i japin rrugë kësaj rruge por që një institucioni i Kosovës të mos jap llogari në Kosovë kjo nuk mund ta kuptoj… Çka është kjo Gjykatë që vendos ligje mbi një shtet duke u quajtur gjykatë e shtetit. Në parlament se kërkon dot për llogaridhënie, qeveria se kërkon ditë, populli si thotë dot asgjë dhe të gjithë kanë ngritur duart para një monstrumi fashistë, nazistë pa asnjë lloj vlere juridike dhe qytetare juridike… Sot në Hagë në mënyra të ndryshme po tentohet të krijohen tendenca gjoja për t’i shpëtuar ata të arrestuarit të mbyllur atje të burgosur atje, dhe nuk e kuptoj sinqerisht si ka mundësi që avokatët mbrojtës që thirren për mbrojtje dhe për mua ata avokat mbrojtës nuk kanë mision të shpëtojnë ata trupat e personave që kanë brenda hekurave, por të shpëtojnë personalitetin e luftë së UÇK-së nëse avokatët mbrojtës nuk e dinë këtë mision duhet të largohen se janë në shërbim të Serbisë”, theksoi autori i librit.

Libri me titullin “UÇK përballë shpifjeve”, me autor gjeneralin shqiptar, Kudusi Lama, është botuar nga Shtëpia botuese “Olymp”./kp/

Shpërndaje