Të dielën e 29 majit, një person ndoti kasën e xhamit që mbron Mona Lisa-n e Leonardo da Vinçit – me tortë.
Piktura më e famshme në botë është e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris.
Pamjet dhe videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale nuk tregojnë momentin në të cilin personi lyen pikturën, por vetëm xhamin që e mbron atë të njollosur tashmë me krem të bardhë dhe një nga gardianët i cili tenton ta pastrojë.
Sipas dëshmive të vizitorëve që ndodheshin aty, personi i është afruar pikturës me karrocë dhe me paruke në kokë.
Një nga video-t e tregon atë duke qëndruar teksa po largohet dhe i bërtet turmës që “mendoni për Tokën”, “kjo është arsyeja pse e bëra, mendoni për planetin”.