Ad image

KPM e AMA takime në Departamentin Amerikan të Shtetit

Kosova News
Kosova News 12:02 -08/06/2022

Një delegacion i përbashkët i dy rregullatorëve të medias, së Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e dy autoriteteve rregullatorë, kryesuar nga Xhevat Latifi, dhe Armela Krasniqi zhvilluan një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u pritën nga z. Martin McDowell, Drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Dinamika e zhvillimeve në të dy autoritetet rregullatore, si dhe sfidat me të cilat ato përballen, u prezantuan gjatë takimit, ku u vu theksi më shumë tek garantimi i lirisë së medias dhe konkurrencës së ndershme në transmetimet audio/audiovizive, por edhe duke përmendur dhe përpjekjet që bëhen për të evituar fenomenet e ç’rregullimit informativ, më shumë në formën e dizinformimit apo propagandës.

Të gjitha përpjekjet bëhen edhe më imperative duke patur parasysh luftën në Ukrainë dhe dizinformimin që është permanent si kërcënim për të gjithë shoqëritë demokratike.

Sektori audiovizual u konsiderua si një hapësirë ku mund të bashkëpunohet me institucionet homologe apo subjekte të SHBA-ve për të ndikuar dhe mbështetur projekte të përmirësimit të cilës dhe shumëllojshmërisë së përmbajtjeve të transmetuara, si dhe rritjes së standardeve të rregullimit të operatorëve të licencuar në treg.

Drejtori Mcdowell duke falënderuar të dy kryetarët për punën që kryejnë institucionet rregullatore në Shqipëri dhe Kosovë përcolli dhe përshëndetje më të mira të z.Grabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretar i Zyrës për Çështje Evropianë dhe Euroazinë. Z. Escobar për shkak të një agjende pune në rajon nuk mundi të përshëndeste personalisht delegacionet e AMA e KPM.

Takimet e përfaqësuesve nga KPM dhe AMA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë, thuhet në një njoftim nga KPM. / RTKlive/

TAGGED: , ,
Shpërndaje