Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë mbrëmë çmimet vjetore për kinematografi në ambientet e Kino “Armatës” në Prishtinë.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Kulturës Hajrullah Ceku me ç’rast u bë edhe ndarja e dy çmimeve kryesore të kinematografisë në Kosovë: Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe Çmimi Vjetor për Kinematografi 2021.
Ndarja e Çmimit për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i është ndarë aktorit post-mortem, aktorit të madh kosovar, Abdurrahman Shala. I pranishëm për të marrë çmimin ishte familjari Genc Shala, çmimin të cilin ia dhuroi Ministri Hajrulla Çeku.
Derisa fituesit e çmimit vjetor për kinematografi 2021 e fitoi Blerta Basholli, e cila në një intervistë për RTK-në, tha që ndjehet shumë e nderuar dhe e respektuar nga vendi i saj Kosova.
“Normal që ne kemi marrë çmime kudo, por kur i marrim në Kosovë prej institucioneve tona është kënaqësi e veçantë dhe nder e respekt për ne”, u shpreh Basholli për RTK-në.
Ndër tjera, e pyetur se a i ka pritur këto suksese të shumta që i ka pasur filmi ‘ZGJOI’, Basholli thotë se edhe pse kanë punuar shumë, bashkë me krejt ekipin e filmit, asnjëherë nuk e kishte pritur që filmi të arrinte gjithë këtë sukses dhe të fitonte gjithë ato çmime, por normalisht “kemi shpresuar shumë për këtë gjë”.
“Është filmi im i parë dhe jo, nuk e kam pritur gjithë këtë sukses, por normalisht kemi shpresuar, sepse kemi punuar shumë me krejt ekipin e filmit dhe kur kemi punuar kemi menduar vetëm të jemi të sinqertë dhe mos të mbetet asgjë mangu nga ana jonë dhe normalisht, kur e bën një punë të madhe, ti shpreson për sukses. Por, as në ëndrrën më të mirë nuk e kemi menduar krejt këtë sukses“, tha Blerta Basholli. /rtklive/