Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj që ishte në garë dhe pretendonte të merrte edhe një pozitë më të lartë, atë të Kryeprokurit të Shtetit, e ka pranuar të premten se ishte vetë ai që ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj kriminelit e terroristit, Milan Radoiçiq.
Këtë konfirmim Isufaj e dha të premten gjatë një konference të fundvitit dhe është pyetur nga gazetari i portalit KosovaNews.
Por, Isufaj ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet pse hoqi urdhërarrestin për Radoiçiqin, për siç tha ‘shkak të hetimeve’.
“Pa miratimin tim nuk kishte mundur me bë, nuk diskutohet kjo. Unë kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë pëlqimin nuk mund t’a bëjë publik, pikë. Kjo është një çështje. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne çka ne bëjmë”, ka deklaruar Isufaj, duke arsyetuar vendimin e tij.
Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoçiqit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiq ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.
Kujtojmë se Isufaj ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Këshilli Prokurorial për Kryeprokuror të Shtetit, pozitë kjo më e larta në institucionet e ndjekjes. Por dekretimi i tij po refuzohet nga presidentja Vjosa Osmani. Edhe liderët e tjerë shtetërorë janë kundër zgjedhjes së tij.
Kujtojmë se e para e shtetit, Vjosa Osmani doli rreth dy muaj më parë në një konferencë për media dhe tregoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Ajo tha se këtë vendim e mori pas shqyrtimit të ankesave të shumta nëpër gjykata.
Osmani ka theksuar se procesi për Kryeprokuror është përcjell me shumë parregullsi dhe me shumë shkelje procedurale.
Në përkrahje të vendimit të presidentes Vjosa Osmani kanë dalë edhe organizata joqeveritare që monitorojnë sistemimin e drejtësisë së Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë, ambasadorë të shumtë nga vendet e QUINT-it. Ata kanë kërkuar që ky proces me të drejtë duhet anuluar dhe në përsëritjen e tij KPK nuk duhet të bëj shkelje të tilla.