Qeveria ka propozuar shtimin e një i draft amandamenti të ri Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kjo është bërë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Vitin 2022 e kemi shpallur vitin e personave me aftësi të kufizuara, neni 22 i Kushtetutës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojte së të drejtave ndërkombëtare që aplikohen drejtë për drejtë në sistemin tonë juridik e kanë si, sot propozoj përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara në Këtë nen”, tha ai.
Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare që shënon përpjekjet globale për krijimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara nuk ndihen të përjashtuar, por pjesëmarrës dhe të barabartë, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara.
Në bazë të këtij vendimi, institucionet obligohen që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën e punësimit në bazë të Ligjit për aftësim, riaftësim dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara. Inspektorati i Punës, në anën tjetër, obligohet për inspektimin e zbatimit të këtij ligji.
Me ligjin në Kosovë, sektori publik dhe ai privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.
Në bazë të kësaj, i bie që institucionet publike do të duhej të kishin të punësuar mbi 1.600 persona me aftësi të kufizuara.