Shqiptarët që jetojnë në komunën e Graçanicës kanë bërë ankesë tek Avokati i Popullit pasi që kjo komunë ua ka shkelur shumë të drejta e barazi që i garantojnë ligjet e vendit, siç është e drejta pronësore, ajo për ndërtim dhe e drejta në dy gjuhësi, shkruan KosovaNews.
Banorët shqiptarë, përmes kësaj ankese po kërkojnë që t’u mbrohen të drejtat kushtetuese e të cilat sipas tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike shpërfillen dhe shkelen nga Komuna e Graçanicës.
Banorët thonë se kjo është duke u bërë në mënyrë të qëllimshme nga autoritetet komunale, në zbatim të strategjive politike që kanë për qëllim minimin e karakterit shumëetnik, duke ua vështirësuar jetesën në këtë komunë.
Ata kanë thënë se për këto shkelje të të drejtave të tyre, kanë informuar disa herë edhe institucionet qendrore të Kosovës, por vazhdimisht u është thënë se institucionet e pushtetit qendror janë të njoftuara për praktikat diskriminuese të Komunës së Graçanicës ndaj banorëve shqiptarë, por asnjë Qeveri deri më tani nuk ka ndërmarrë veprim serioz për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje.
Sipas banorëve, komuna është duke bërë veprime e praktika diskriminuese në shërbimet e urbanizmit me qëllim që qytetarëve shqiptarë t’iu pamundësohet marrja e lejeve të ndërtimit dhe shfyrtëzimi i papenguar i të dejtave pronësore.
“Komuna e Graçanicës ka refuzuar dhe vazhdon të refuzojë qindra dhe mijëra kërkesa për leje ndërtimore të paraqitura nga qytetar shqiptar. Bëhet fjalë për kërkesa për leje të paraqitur nga qytetar të etnise shqiptare, që kanë pronat e tyre në parcela që janë brenda zonave të dedikuara në planin urbanistik si zona ndërtimore dhe të cilët kanë paraqitur kërkesa për leje ndërtimore në përputhje me të gjithë rregullativën ligjore dhe planin urbanistik. Pra, nuk bëhet fjalë për kërkesa jo-ligjore apo për zona që nuk janë ndërtimore”, thuhet në ankesë, raporton KosovaNews.
Sipas tyre, duke ua pamundësuar qytetarëve shqiptar shfrytëzimin dhe disponimin e papenguar me pronat e tyre, sidomos përmes privimit arbitrar nga e drejta për marrjen e lejeve ndërtimore, Komuna e Graçanicës shkelë në mënyrë flagrante të drejtat pronësore të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës dhe dispozitat përkatëse ligjore.
Ata tutje pohojnë se në kundërshtim me Kushtetutën, shumica e akteve/dokumenteve (vendime, njoftime, përgjigje etj) të Zyrës Kadastrale të Komunës së Graçanicës lëshohën vetëm në gjuhën serbe dhe për më tepër kjo bëhet në alfabetin cirilik.
“Për më tepër, vendimet, njoftimet dhe të gjitha dokumentet tjera në gjuhën serbe lëshohën vetëm në alfabetin cirilik, të cilin nuk e dijnë (nuk mund ta lëxojnë) banorët shqiptar… duke shkelur kështu nenin 5 të Kushtetutës, nenin 7 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe neni 71 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative“, pohojnë banorët.
Ata theksojnë se e drejta në dygjuhësi nuk respektohët as në drejtoritë tjera të komunës së Graçanicës, por që ballafaqohen më së shumti me Drejtorinë e Kadastrës.
Prandaj, ata përmes kësaj ankese, kërkojnë nga Avokatit i Popullit që të nxjerrë Raport me Rekomandim që: Konstaton se Komuna e Graçanicës ka shkelur të drejtat e banorëve shqiptar për barazi para ligjit dhe të drejtat pronësore; Konstaton se Komunën e Graçanicës ka interpretuar në mënyrë të gabuar nenin 36 të Rregullores Nr. 03/18/KG mbi Kushtet e Përgjithshme për Parcelim, Rregullat dhe Procedurën e Ndërtimit të Objekteve dhe Lëshimin e Kushteve Ndërtimore për Ndërtesat nën kompetencën e Komunës; Kërkon nga Komuna e Graçanicës që të respektojë detyrimin ligjore për të lëshuar çdo dokument të organeve komunale në gjuhën shqipe; Kërkon nga Komuna e Graçanicës që të mundësojë qasjen në rrugë publikë për çdo parcelë tokësore që është përfshirë si zonë ndërtimore në planin urbanistik të Komunës së Graçanicës.
Sipas përkufizimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barazia para ligjit kërkon që personat të mos trajtohen në mënyrë të ndryshme, për shkak të një karakteristike të dallueshme identitare, siç është etnia, feja, gjinia, ngjyra, profesioni etj.
Thelbi i parimit kushtetues të barazisë para ligjit është detyrimi i organeve publike që me veprimet apo mosverimet e tyre të mos vënë në pozitë të pafavorshme një ose disa persona, për shkak të ndonjë elementi të tyre identitar. Pikërisht këtë detyrim është duke e shkelur Komuna e Graçanicës, në trajtimi që ua bënë banorëve shqiptar. Pra, Komuna e Graçanicës në mënyrë sistematike, të vrazhdë dhe të papenguar ushtron diskriminim etnik kundër qytetarëve shqiptarë që kanë prona në territorin e kësaj Komune.
Po ashtu, duhet theksuar se ka edhe forma të tjera të qasjes diskriminuese të Komunës së Graçanicës ndaj qytetaravë shqiptar, siç është mos mirëmbajtja e infrastrukturës në vendbanimet shqiptare të Komunës së Graçanicës; mos emërtimi i rrugëve dhe mos pastrimi i bores/KosovaNews