Kosova është ndalesa e radhës për presidentin slloven Borut Pahor, në kuadër të turneut të vizitave nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor që po i bën në kuadër të përgatitjeve për samitin e Brdo-Brionit.
Vizitat e takimet me liderët kosovar janë të shpeshta, siç edhe shihet interesimi slloven për këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Intersimi i tyre është fuqizuar edhe me emërimin e emisarit të veçantë të këtij shteti, për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh.
Prandaj në këtë rrafsh po shihet edhe vizita e Pahorit këtë të mërkurë në Kosovë.
Kjo ardhje e shefit të shtetit slloven po bëhet vetëm dy muaj pas vizitës që kishte presidentja e Kosovës Vjosa Osmani atje në korrik, ku u prit me nderime të larta shtetërore.

Sllovenia është mbështetëse e fuqishme në rrugën evropiane të Kosovës dhe për liberalizimin e vizave për shtetin.
Për marrëdhëniet e afërta mes shteteve e popujve në Slloveni është ulësja në parkun e Kështjellës Kromberk në Nova Goricë që është simbol i miqësisë që daton nga vitet e 90-ta e përuruar nga dy presidentët në korrik të këtij viti.

Pahor në Kosovë ishte edhe në nëntorin e vitit të kaluar, vetëm një ditë pas vizitës që kishte në Serbi nga ku kishte shprehur shqetësimin e tij për dialogun mes vendeve.

Ndërkohë në kuadër të këtij turneu ai para pak ditësh kishte qëndruar në Serbi ku kishte kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Kosova.
Sot pasdite në Kosovë presidenti slloven do të zhvillojë takime me homologen e tij në Kosovë, Vjosa Osmani dhe më pas edhe me kryeministrin Albin Kurti.