Të hënën fillon “Java Kundër Korrupsion 2022” në Kosovë
Më 5 dhjetor, fillon “Java Kundër Korrupsion 2022”, të cilën edhe këtë vit e organizojnë Organizatat e Shoqërisë Civile, ku do të realizohen aktivitete të ndryshme, që për synim kanë sensibilizimin kundër korrupsionint.
Pjesë e koalicionit të OJQ-ve në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.
Përmes një komunikate për medie, koalicioni i OJQ-ve njofton se për shënimin e kësaj jave, ka planifikuar që të ketë të ftuar të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit.
Po ashtu, thuhet se në kuadër të aktiviteteve gjatë kësaj jave do të trajtohet korrupsioni, integriteti, llogaridhënia, transparenca, etj.
Ndër aktivitetet e planifikuara për këtë javë, ndër të tjera janë planifikuar të prezantohen edhe raporte konkrete të korrupsionit me të cilat raporte pasqyrohen problemet dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse në luftimin e korrupsionit.
“Tutje, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të mbahen tryeza të diskutimit me akterët relevant lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe po ashtu është planifikuar që të mbahen konferenca të ndryshme ku pritet prezantimi i shumë raporteve analitike. “Parashkrimi i Korrupsionit”, “Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike”, “Reforma në Administratë Publike”, “Barometri i Transparencës së Qeverisë dhe Ndërmarrjeve Publike”, “Korrupsioni në Prokurimin Publik”, “Open data lidhur me patronazhin politik”, “Gazi në aspektin ekonomik dhe ambiental”, “Korrupsioni në Shëndetësi”, “Korrupsioni në ambient”, “Qeverisja me duar të pastra”, janë disa nga raportet të cilat do të publikohen nga Koalicioni i OJQ-ve për “Javën Kundër Korrupsion 2022”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se koalicioni i OJQ-ve gjatë kësaj Jave ka planifikuar që të realizojë edhe aktivitete tjera si: Tryezën e rrumbullakët “FOL me Ambasadorin Amerikan”, një gjykim të simuluar për korrupsion dhe tryezën për reformën në drejtësi.
“Pra, dinamika e shënimit të “Javës Kundër Korrupsion 2022”, do jetë e ngjeshur si asnjëherë më parë, ku përfshihet konferenca, tryeza dhe aktivitete të ndryshme në fusha të ndryshme. Ndryshe, motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”, njofton koalicioni i OJQ-ve.