Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rikthyer ndërmarrjen “Agro Kosova Holding” te provatizuesi i saj, Aziz Tafa.
Avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, e cila përfaqëson ish-blerësin në rastin e kësaj ndërmarrjeje, i ka thënë KOHËS se nga 30 maji ndërmarrja është kthyer te pronarët, të cilët e kanë drejtuar atë para datës 31 janar të këtij viti.
Ajo ka njoftuar se komisioni që do të bëjë verifikimin e gjendjes në terren është i përbashkët dhe do të fillojë punën menjëherë pas pranim-dorëzimit.
“Pranim-dorëzimi është bërë në mënyrë vullnetare dhe me marrëveshje, nga sot qeverisi pronarët të cilët kanë qenë para datës 31 janar 2022, çdoherë kur them data apo statistika, këto vijnë nga aktvendimi i Gjykatës Supreme, dhoma e posaçme në Kosovë. Përtej kësaj, nuk më lejon as kodi etik, gjendja dhe situata juridike të flasim. Meritat e padisë shqyrtohen më vonë. Sot me rëndësi është që sipas vlerësimit tim si avokate me përvojë 43 vjeçare, sot e vetmja palë që ka fituar është sundimi i ligjit. Unë nuk kam autoritet t’i komentojë vendimet e Gjykatës. Gjykata e ka thënë fjalën e vet. Ne bashkërisht jemi pajtuar për t’u bërë dorëzimi teknik sot, ajo edhe ka ndodhë, ndërsa komisionet të cilat do ta bëjnë verifikimin e gjendjes në terren, do të fillojnë punën menjëherë nga pranim-dorëzimi”, ka thënë ajo.
Berisha-Rexhepi ka shtuar se pala ankuese nuk ka pasur probleme me AKP-në dhe për çdo ankesë i janë drejtuar gjykatës.
“Ne nuk kemi pasur probleme me AKP-në, janë këto çështje gjyqësore, i vetmi vend ku bëhet administrimi i drejtësisë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është gjykata. Ne çfarëdo vendimi të gjykatave, iu kemi nënshtruar çdoherë. Komisioni do të jetë i përbashkët, do të verifikohet lista e punëtorëve, pra këto janë çështje për nesër jo për sot”, ka shtuar ajo.
Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e biznesmenit Aziz Tafa kundër AKP-së për rastin e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.
Në aktgjykimin e shpallur më 25 maj, Supremja ka urdhëruar AKP-në ta kthejë rastin në gjendjen e mëparshme, si dhe ka urdhëruar këtë agjenci që të ekzekutojë këtë vendim brenda disa ditësh.
AKP-ja e ka pranuar aktvendimin për të cilin me shumicë votash është vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes së re AgroKosova nën administrim direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të saj.
Më 31 janar, AKP-ja ka vendosur që këtë ndërmarrje ta kthejë në mbikëqyrje të saj, pasi sipas këtij institucioni, privatizuesi nuk ka përmbushur vlerën e investimeve të zotuara që ishin rreth tetë milionë euro. Po ashtu sipas AKP-së, ka dështuar edhe në përmbushjen e zotimit për punësime. /koha/