Ad image

Naftëtarët për Qeverinë: Plotësoni këto kërkesa ose i mbyllim pompat

Alban Begolli
Alban Begolli 14:26 -09/06/2022

Me kërcënimin se do t’i mbyllin të gjitha pikat e karburantit në Kosovë, naftëtarët i janë përgjigjur Qeverisë së Kosovës për draftvendimin me të cilin parashihte të kufizonte fitimin për litër të derivateve.

Të mërkurën, u publikua draftvendimi që parashihte që të jetë fitimi 2-3 centë për litër naftë për shitësit me shumicë dhe 6-10 centë për litër për shitësit me pakicë. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se sipas një llogaritjeje të fundit, vendimi i propozuar zbret çmimin e naftës deri për 10-12 centë. Në Kosovë çmimi i naftës ka arritur në vlera rekorde, në mbi 1.8 euro.

Të enjten, Shoqata e Naftëtarëve ka dalë me një letër për Qeverinë me të cilën ka dhënë propozimin e saj, por edhe ka dhënë tri paralajmërime nëse Qeveria s’e mbështet.

Kërkesa e kësaj shoqate është të vazhdohet me ekonomi të tregut të lirë. Nëse kjo s’merret parasysh, naftëtarët kanë kërkuar që marzha e fitimit të caktohet në nivelet e çmimeve aktuale prej 3 për qind për shitjen me shumicë dhe 12 për qind për shitjen me pakicë.

Nga 1 marsi për 90 ditë Qeveria pati vendosur marzhë fitimi për naftëtarët. Tash kjo shoqatë ka kërcënuar me kërkesën për kompensim të humbjeve të shkaktuara nga ai vendim, nëse Qeveria s’merr parasysh kërkesën aktuale.

Është paralajmëruar edhe për apelim të vendimit të ri, ndërsa si masë kërcënuese e fundit është përmendur mbyllja e pikave të derivateve në tërë vendin deri në reflektim të Qeverisë.

Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, naftëtarët kanë thënë se kanë punuar me humbje për shkak të vendimit të mëhershëm. Sipas naftëtarëve, shteti aktualisht fiton rreth 64 centë për litër të shitur. Kjo shoqatë ka thënë se nëse “Qeveria është e interesuar ta mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”./KOHA/

TAGGED:
Shpërndaje