Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se është duke u punuar dhe së shpejti do të merret një vendim, i cili rregullon çmimet e derivateve të naftës në Kosovë.
Çmimet e derivateve janë ngritur përsëri këto ditë dhe çmimi për një litër naftë ka arritur nga 1.79 euro deri në 1.82 euro.
Kjo duket se ka ndikuar që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ngutet për të ndërhyrë në këtë veprimtari.
“Është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet nga ministria.
Bëhet e ditur se MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri.
“Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”./KosovaNews/