Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka nëshkruar vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat, i cili deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit të Kosovës.
Këtë e ka bërë publike vetë zëvendësministri Sallahu, i cili tha se me këtë vendim është ndaluar një keqpërdorim milionësh që është tentuar të bëhet në Telekomin e Kosovës.
Sallahu tha se ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të kompanisë.
“Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova Vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit. Jemi qeverisje e ruajtjes dhe mbrojtjes së financave publike që derivojnë nga tatimet e qytetarëve tanë!”, ka shkruar Sallahu, kur e ka publikuar vendimin.
KosovaNews mëson se personi që është suspenduar nga detyra e përmbaruesit është Ilir Mulhaxha, i cili është vëllai i deputetes së Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha- Kollqaku.