Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati dhe Drejtori Gjeneral i OPEC, Abdulhamid Alkhalifa, nënshkruan marrëveshje 40 milionë dollarësh, për financimin e politikave zhvillimore.
Në një njoftim të MFPT-së thuhet se kjo marrëveshje është arritur në kuadër të vizitës së parë në Kosovë, të Alkhalifa dhe ka të bëj për programin “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”.
Marrëveshja në fjalë pritet të mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.
Marrëveshja me OPEC sipas MFPT-së thuhet se vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.
Me këtë rast, ministri Murati ka thënë se reformat e mbështetura nga ky program riafirmojnë faktin se strategjia jonë është e ngritur mbi themele të qëndrueshme fiskale dhe është në funksion të zhvillimit afatgjatë, duke konfirmuar edhe njëherë përkushtimin drejt realizimit të Programit Qeverisës.
“Në anën e tij, Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC, Dr. Alkhalifa vlerësoi lartë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, si dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës”, ka thënë ai.
Gjithashtu bëhet e ditur se Murati shprehu mirënjohjen e tij ndaj Fondit OPEC për partneritetin e deritanishëm, dhe të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në projekte të tjera zhvillimore që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.