Nga 75 deputet të pranishëm në seancën e sotme, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
Deputetët për disa orë kanë shqyrtuar këtë propozim-vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë. E kjo temë ka qenë shkak i përplasjeve mes deputetëve të pozitës e opozitës, të cilët kanë dhënë qëndrimet e tyre për këtë çështje.
Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë mbledhjes së 91-të, mbajtur katër ditë më parë në formë elektronike, ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Një fjalë rasti në Kuvendka mbajtur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanoli, e cila tha se propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës, synon të ruaj stabilitetin për furnizim të energjisë në Kosovë për shkak të krizës energjetike që mund të vijë në vend si pasojë e problemeve në tregun evropian të energjetik.
Ajo ka folur për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, që do të vlejnë për deri 60 ditë, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
“Duke u bazuar në situatën energjetike, tregun evropian dhe çmimet që do të ndikojnë edh enë Kosovë. Disa shtete kanë paralajmëruar se do të ndalojnë eksportet energjisë. Me qëllim që të nxisim kursim të energjisë dhe aktiviteteve që shpenzojnë energji, siç janë kriptovalutat. Ne propozojmë shpalljen masave emergjente për 60 ditë. Kuvendi i Kosovës mund ta vazhdojnë më shumicë të votave deri në 180 ditë shtesë dhe parashohim, nëse trendi të jetë i njëjtë. Masat duhet të fillojnë sa më shpejt”, tha ajo.
Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, ka marrë mbështetje nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala nga PDK ka kritikuar Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
Sipas tij qeveria po i bënë edhe sabotim të Komisionit Hetimor për energjinë.
Edhe Valentina Bunjaku nga LDK, kritikoi vendimin duke thënë se ky propozim nuk zgjidh problemin. “Nëse qeveria nuk e siguron energjinë, atëherë do të kemi problem”, tha ajo.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga AAK, Pal Lekaj, vlerësoi se kjo qeveri nuk po bënë asgjë për të menaxhuar mirë situatën energjetike. “Qeveria është e pa aftë për të zgjidhur problemin me furnizim të energjisë”, tha ai. Lekaj bëri me dije se AAK përkrah këtë propozim të qeverisë.
Kujtojmë se ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyer nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit.
Në një njoftim për media thuhet se masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
“Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, thuhet në njoftim.
Tutje Qeveria e Kosovës sqaron se me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit dhe të mbrojtjes së interesit publik, masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë:
Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe
Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
Njëkohësisht, Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ministria e Ekonomisë janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit.
“Edhe pse termocentralet janë të stërvjetruara, menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që është mbi mesataren botërore të punës së termecontraleve me thëngjill. Këto riparime na mundësojnë që ta mbajmë këtë mesatare të lartë të gjenerimit të energjisë dhe furnizim sa më të rregullt”, thuhet nga Qeveria./KosovaNews/