Ad image

Bordi i RTK-së: 8,96 milionë për vitin 2023 janë të pamjaftueshme për ne

Kosova News
Kosova News 11:12 -18/11/2022

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka reaguar ndaj ndarjes së buxhetit prej 8.96 milionë eurosh për të për vitin 2023, i cili u miratua të enjten në Kuvend, në lexim të parë.

Bordi përmes një komunikate për media të premten ka thënë se ky është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit.

Sipas bordit, ky buxhet përjashton mundësinë praktike të çfarëdo investimi kapital në RTK.

“Ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021, kohë kur RTK-ja qartazi keqmenaxhohej. Këtë keqmenaxhim e ka vërtetuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e tyre të auditimit të performancës së RTK-së për vitin 2019-2021, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021. Si pasojë, ndër të tjera, janë trashëguar 1.6 milionë euro borxhe, të cilat përbëjnë kërcënim konstant me bllokimin e xhirollogarive të RTK-së nga përmbaruesit. Bordi i RTK-së rikujton se kjo ndarje buxhetore përjashton mundësinë praktike të çfarëdo investimi kapital në RTK, qoftë në pajisje pune, teknologji të re, shpërndarje të sinjalit apo përmbajtje kualitative. Buxheti i ndarë, dhe të hyrat tjera vetanake nga marketingu, e as kursimet e planifikuara, nuk sigurojnë as plotësimin e kërkesës ligjore për kontraktim të produksioneve të pavarura, e as nuk sigurojnë shlyerjen e plotë të borxheve që janë krijuar nga menaxhmentet e kaluara ndër vite”, thuhet në reagim.

Sipas Bordit, në RTK ka shumë pajisje që nuk janë ndërruar prej kur është themeluar RTK-ja, sepse nuk ka pasur investime kapitale për shumë kohë.

“Bordi i RTK-së ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore, legjislative dhe ekzektuve. Në kërkesë është elaboruar në detaje se pse ky buxhet është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e RTK-së, dhe nuk është në harmoni me planet e Bordit. Njëkohësisht, të njëjtit janë informuar edhe lidhur me punët dhe reformat që janë ndërmarrë si dhe me reformën e thellë që po fillon së shpejti. Por, deri më tani, Bordi i RTK-së nuk ka marrë asnjë përgjigje në këtë kërkesë”, thuhet më tej në reagim.

Bordi i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që t’i marrë parasysh kërkesat e paraqitura midis dy leximeve buxhetore.

Shpërndaje