Prokuroria Themelore në Ferizaj bwri tw ditur se edhe sot po vazhdon me inspektimin në zonën e Brezovicës që është si vazhdimësi e aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i inspektimit është identifikimi i të gjitha objekteve të ndërtuara në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar dhe nëse posedojnë leje ndërtimore dhe a janë në pajtim me ligjin.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”. Qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.