Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka reaguar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili mori vendim t’ia lejojë “Art Motion” transmetimin e kanaleve të “Arena” të Telekomit të Serbisë, të ndaluara më herët. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Basha e ka quajtur super skandal këtë vendim, duke thënë se nuk e di kush e parashutojë këtë vendim, sepse nuk paska qenë as pikë e rendit të ditës. Po ashtu Arena Sport ka postu mesazhe ku kërcënon Republikën dhe i thur lavde terroristëve të Banjskës. Ai e fton Prokurorinë e shtetit që urgjentisht të fillojë hetime ndaj personave në fjalë për këtë vendim kriminal.
“Komisioni i Pavarur për Media dje paska marrë vendim që me ia leju Artmotion transmetimin e kanaleve të “Arena” të Telekomit të Serbisë, kanale këto që ishin të ndaluara më herët.
Ky është super skandal!
E para, kush e parashutoj këtë vendim, sepse nuk paska qenë as pikë e rendit të ditës!
E dyta, Arena Sport ka postu mesazhe ku kërcënon Republikën dhe i thur lavde terroristëve të Banjskës (shih foton), e ju merrni vendim me ia fal! A jeni n’tokë t’bukës?! A pe dini që kanë thur lavde për terroristë që e kanë vra Afrim Bunjakun?!”, ka thënë Basha.
Sipas tij, kjo është shkelje flagrante e çdo parimi dhe përkrahje direkte për Arena Sportin e Serbisë që përkrah Radojçiçin me bandën e vet! Heeej, edhe Gjykata ia ka refuzu ankesën për transmetim, kurse këta paskan lëshu pe!
“Ju që keni votu PËR këtë favor ndaj Serbisë mezi pres me dëgju se çka dhe kush ju bindi për këtë vepër makabër!
Njëkohësisht FTOJ prokurorinë e shtetit që urgjentisht të fillojë hetime ndaj personave në fjalë! Vendim kriminal!”, përfundon reagimin deputeti Basha.