Ad image

Zelensky: Kostoja njerëzore në Donbas është e tmerrshme, një nga betejat më të dhunshme!

Kosova News
Kosova News 09:09 -14/06/2022

Beteja për Donbasin do të mbahet mend në histori si një nga betejat më të dhunshme në Evropë, kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit të hënën vonë.

“Kostoja njerëzore e kësaj beteje është shumë e lartë për ne. Është e tmerrshme, Kemi të bëjmë me të keqen absolute. Dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ecim përpara dhe të çlirojmë territorin tonë”.

Prej javësh tashmë, qyteti në lindje të vendit, Severodonetsk ka qenë në fokus të bombardimeve ushtarake ruse në Ukrainë. Raportet sugjerojnë se rreth 70% e qytetit është aktualisht nën kontrollin rus.

Severodonetsk dhe qyteti i tij binjak, Lysychansk, formojnë një pikë qendrore të rëndësishme rajonale dhe industriale në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore.

Marrja e dy qyteteve do t’i jepte Rusisë kontrollin e të gjithë rajonit të Luhanskut, pjesë të të cilit tashmë kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov javën e kaluar tha se gati 100 nga trupat e tij po vdisnin çdo ditë dhe 500 pësonin lëndime në luftimet intensive kundër trupave ruse.

Edhe Zelenskiy, më 1 qershor, tha se ushtria e tij po humbte “midis 60 dhe 100 ushtarë” çdo ditë, ndërsa vlerësimet e tjera janë më të larta, me ekspertët që parashikojnë se humbjet e paqëndrueshme mund ta sjellin së shpejti konfliktin në “një pikë kthese” .

Shpërndaje