Ad image

Gazetari ukrainas e vë në siklet Lavrovin e pyet: Përveç grurit, çfarë tjetër keni vjedhur në Ukrainë

Alban Begolli
Alban Begolli 14:53 -08/06/2022

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar në Ankara sot me homologun turk Mevlut Cavusoglu.

Pas takimit, ata mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku siç raporton Reuters, Lavrovit i është parashtruar një pyetje që e ka vënë paksa në siklet

Bëhet fjalë për një gazetar ukrainas, i cili pasi u prezantua dhe tregoi cilën media përfaqëson, ishte i drejtpërdrejtë me shefin e diplomacisë ruse, duke e pyetur se çfarë tjetër është vjedhur në Ukrainë, përpos grurit – dhe a ka arritur Rusia t’i shet të gjitha mallrat e vjedhura.

“Quhem Muslim Umerov jam nga televizioni ukrainas. Kam një pyetje – çfarë tjetër është vjedhur në Ukrainë, përpos grurit? Dhe çfarë ka arritur deri më tani Rusia të shet nga ajo çfarë ka vjedhur”, thotë gazetari ukrainas.

Por duket se Lavrov nuk e kishte pritur një pyetje të tillë dhe kaq të drejtpërdrejtë nga gazetari ukrainas, pasi me një dozë habie u përgjigj: “Më falni, a mund ta përsërisni”.

Kështu gazetari ia parashtroi sërish të njëjtën pyetje, por kësaj radhe Lavrov u mundua të anashkalojë në mënyrë indirekte pyetjen e ukrainasit.

“Ne po i realizojmë qëllimet që i kemi bërë publike. Të pastrojmë Ukrainën nga represioni nazist. Kjo është ajo çfarë po bëjmë. Sa i përket grurit, kemi thënë se mund të transportohet falas deri në destinacionet e parapara. Rusia nuk ka vënë kurrfarë pengese. Atë po e kërkon presidenti ukrainas Zelensky. Nëse ai pyetet akoma, ai duhet t’ju jap leje anijeve të huaja të futen në Detin e Zi. Faleminderit shumë”.

Më poshtë mund ta ndiqni konferencën e përbashkët mes dy ministrave të Jashtëm, ai i Turqisë dhe Rusisë, kurse pyetjen e gazetarit ukrainas mund ta ndiqni nga minuta e 32-të.

Shpërndaje