Ad image

5 dënime me vdekje dhe 342 protestues të vdekur deri më tani në Iran

Alban Begolli
Alban Begolli 11:06 -18/11/2022

Instituti i Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) njoftoi se është rritur në 342 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj protestave që filluan pas vdekjes së Mahsa Aminit.

Në faqen e internetit të IHR-së me qendër në Norvegji, është publikuar raporti në të cilin jepen informacione lidhur me protestat që vazhdojnë prej rreth 60 ditësh në vend, transmeton KosovaNews.

Në raportin i cili përfshin të dhëna për 23 nga 31 rajonet në vend thuhet se numri më i madh i humbjeve të jetëve ka ndodhur në rajonin Sistan-Baluchestan ku jetojnë kryesisht sunitët. Sipas raportit në rajonin Sistan-Baluchestan kanë humbur jetën 123 protestues.

Bëhet e ditur se 43 nga protestuesit që kanë humbur jetën janë nën moshën 18-vjeç ndërsa 26 prej tyre janë femra.

Më tej thuhet se numri i protestuesve të arrestuar është mbi 10 mijë ndërsa deri më tani ka arritur në 5 numri i protestuesve ndaj të cilëve është dhënë dënim me vdekje.

Në raportin e IHR-së të publikuar më 11 nëntor thuhej se 304 protestues kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të policisë në protestat e mbajtura të cilat filluan pas vdekjes së Aminit.

Mbi 40 forca të sigurisë kanë humbur jetën në protestat e përhapura në të gjithë vendin.

– Protestat në Iran

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua më 13 shtator nga patrullat e irshad-it e njohur si “Policia e moralit” në Teheran, shkaktoi protesta kundër qeverisë së vendit në Iran./KosovaNews/

Shpërndaje