Ad image

Mirëpritet kërkesa e PE-së për njohje reciproke, konsiderohet si ndryshim i kursit të BE-së për dialogun

Alban Begolli
Alban Begolli 16:06 -14/06/2022

Spektri politik në Kosovë dhe shoqëria civile e kanë mirëpritur kërkesën e qartë të Parlamentit Evropian se marrëveshja përfundimtare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Miratimi i sotëm i raportit nga Komisioni për Politikë të Jashtme të PE-së, shihet edhe si ndryshim i kursit të BE-së për dialogun. Kësisoj, i kërkohet Qeverisë së Kosovës që të shtyjë përpara këtë narracion të Parlamentit Evropian dhe të përfundojë dialogu me njohje të ndërsjellët.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi thotë se vetëm përmes një gjuhe të tillë duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se pa njohjen e Kosovës s’ka integrim evropian.

Abazi: Përmes gjuhës së tillë do t’i bëhet e qartë Serbisë se pa njohje të Kosovës s’ka integrim evropian

“Pjesa tjetër e deklarimit në rezolutë për njohën e dyanshme dhe njohjen e Kosovës nga Serbia është zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi për herë të parë në Parlamentin Evropian, dialogun e shohin si proces për përfundimin e njohjes së Serbisë për shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo shënon një shkallë tjetër të vetëdijesimit dhe përcaktimit politik përbrenda Parlamentit Evropian, për atë se çfarë Serbia prezanton në këtë proces të dialogimit. Nëse do të lihej çfarëdo lloj mjegullie brenda gjuhës, sigurisht nuk do t’i kontribuonte asaj qartësisë së mesazhit që duhet të shkojë në Beograd, sidomos pas mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe qëndrimit dual që Serbia po bënë karshi BE-së. Kosova është e patejkalueshme për Serbinë, mendoj se sa më shumë që kemi gjuhë të tillë eksplicite, aq më e qartë do të jetë për Serbinë që nuk do të ketë lëvizje drejt integrimit evropian pa njohjen e Kosovës”, deklaron Abazi.

Kërkesën për njohje reciproke e konsideron të mirëseardhur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, thotë se këto mesazhe Qeveria e Kosovës duhet t’i merr seriozisht në mënyrë që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke.

Krasniqi: Vendim i vonuar, por i mirëseardhur

“Është bërë e qartë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me njohje reciproke, edhe pse si vendim është i vonuar, mirëpo është në kohën kur i duhet më së shumti Kosovës. Gjithashtu, Qeveria duhet të merr punën e dialogut më seriozisht, gjithmonë duke qenë në koordinim me ShBA-të. Me këtë rast Serbia duhet të dijë se nuk ka zgjidhje dhe alternativë tjetër dhe se e vetmja rrugë e vetme është njohja reciproke”, shton ajo.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se vendimi i sotëm i Parlamentit Evropian është një zhvillim shumë pozitiv, i cili mund të ndryshojë edhe kursin zyrtar të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Fetahu: Qeveria e Kosovës të kapitalizojë dhe shtyjë përpara këtë narracion të Parlamentit Evropian

“Është zhvillim mjaft pozitiv dhe është një zhvillim që e ndryshon edhe kursin në Bashkimin Evropian. Ndonëse nuk është zëri zyrtar i BE-së, Parlamenti Evropian, është një instancë e rëndësishme që e vë në fokus që njohja e ndërsjellët është rezultati përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra dialogu për normalizim të marrëdhënieve duhet të përfundojë me këtë epilog. Ky është një zhvillim pozitiv dhe mund të ngreh dinamike të reja, pasi s’kemi pasur përmendje kaq eksplicite që dialogu duhet të përfundojë me njohje ose të ketë në qendër njohjen reciproke. Kemi një shndërrim të narracionit dhe kursit të Bashkimit Evropian, i cili lë të nënkuptohet se kjo mund të jetë edhe qëndrimi i BE-së në të ardhmen, ose mes rreshtash mëtohet që dialogu të ketë si epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Kjo është një atribut shtesë që Qeveria e Kosovës të kapitalizojë dhe shtyjë përpara këtë narracion të PE-së dhe ushtrojë dialog direkt veç e veç që të bëjnë pjesë të narracionit të tyre se zgjidhja përfundimtare është njohja e ndërsjellët”, thotë ai.

Të martën, Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) miratoi raportin për Kosovën, ku përveç kërkesës për njohje reciproke në dialog, bëri thirrje sërish për liberalizim të vizave.

Shpërndaje