Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka qëndruar sot për vizitë në familjen Magashi në fshatin Llugaxhi të Lipjanit për të shprehur ngushëllime për të ndjerën Hamide Magashi, e cila së bashku me fëmijën ende të palindur, ditë më parë u vra në oborrin e QKUK-së nga ish-bashkëshorti saj, Sokol Halili.
Pas kryerjes së ngushëllimeve Haxhiu në një prononcim për medie u zotua edhe një herë që nuk do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit dhe ata që nuk kanë kryer punën të japin përgjegjësi.
“Po, së bashku me kabinetin dhe deputetë ishim tek familja e të ndjerës Hamides, për ngushëllime. Dhimbje e madhe si për familjen ashtu edhe për ne. Përveç shprehjes së ngushëllimeve, u zotova që puna në adresimin e papërgjegjësisë do të vazhdojë dhe nuk do të lëmë gur pa lëvizur derisa secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave të ndëshkohet për këtë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se janë në pritje të raporteve nga QPS-ja për 4 zyrtarët e suspenduar.
“Siç e keni parë dje janë suspenduar 4 zyrtarë, ata do të procedohen edhe penalisht. Jemi në pritje të raporteve nga QPS dhe inspektorati shëndetësor”, tha Haxhiu.