Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare për shëndetin, mirëqenien, të drejtat dhe edukimin e fëmijëve, e cila u organizua nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kolegjin AAB.
Ministrja Nagavci në fjalën e rastit, ka uruar fëmijët me dëshirën për mirëqenie dhe kushte gjithnjë e më të mira për jetën, rritën dhe zhvillimin e tyre.
Duke shprehur përkushtimin e saj në avancimin e të drejtave të fëmijëve, ministrja Nagavci tha se politikat arsimore gjithёpёrfshirёse ofrojnё mundёsi tё barabarta nё arsim pёr tё gjithё, pa dallim e diskriminim nё çfarёdo baze.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, si Ministri e Arsimit kemi politika tё qarta pёr rritjen e cilёsisё nё arsim dhe gjithёpёrfshirje, si dhe nё parandalim tё dhunёs, braktisjes, punёve tё rrezikshme pёr fёmijё dhe tё dukurive negative qё dёmtojnё jetёn dhe zhvillimin e fёmijёve.
Përveç veprimeve në fushën e legjislacionit, ministrja Nagavci foli edhe për masat tjera stimuluese si: bursa për për nxënësit e komuniteteve romë, ashkalinj, egjitian dhe subvencionim të OJQ-ve në mbështetje të komuniteteve dhe aktiviteteve psiko-sociale për shkolla, sipas nevojave dhe kërkesave të komunitetit arsimor.
Në fund, ministrja Nagavci rikujtoi edhe iniciativën e MAShTI për konsolidimin e Forumit Nacional Këshilldhënës e Mobilizues për zbatimin e politikave të mbrojtjes së fëmijës, përfshirë sigurinë, parandalimin e dhunës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin e shëndetshëm në institucionet arsimore dhe aftësuese parauniversitare.
Ndërsa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se mënyra se si e trajtojmë çështjen e fëmijëve përcakton shkallën e pjekurisë si shoqëri. Berisha tha se asnjë fëmije nuk duhet t’i mohohet e drejta për zhvillim të shëndetshëm dhe qasja në shërbime shëndetësore.
Të pranishëm në këtë Konferencë ishin hulumtues shkencorë vendorë e ndërkombëtarë, studentë, profesorë, mësimdhënës, nxënës dhe prindër.