Ad image

“Trendi i kopjimit masiv në testin e arritshmërisë po vazhdon edhe në këtë vit“

Jeton Sopa
Jeton Sopa 17:51 -04/06/2022

Organizata ETEA është duke e përcjellë me shqetësim procesin e testimit të semimaturantëve, me ç’rast trendi i kopjimit masiv po vazhdon sikurse viteve të kaluara, transmeton KosovaNews.

Organizata ETEA nëpërmjet një komunikate i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe drejtorive komunale të arsimit në nivel vendi që të mos e vazhdojnë trendin e njëjtë me deklarata që, përkundër dëshmive të kopjimit masiv, marrin për bazë vetëm raportet administruesve dhe komisionerëve të cilët zakonisht nuk raportojnë asnjë parregullësi përgjatë zhvillimit të këtyre testeve.

“Sot, gjatë tërë ditës pothuajse të gjitha portalet kanë raportuar për kopjimin masiv që po ndodh përgjatë zhvillimit të testit të arritshmërisë, dhe me pak hulumtim në rrjete sociale secili/a mund të kyçet në dhjetra grupe aktive që përfshijnë qindra-mijëra nxënës/e të cilët komunikojnë vazhdimisht dhe lirshëm mes veti. Përveç krijimit të grupeve të reja, këto grupe zakonisht ripërtrihen vit pas viti, ku vetëm ndryshon emri i grupit dedikuar vitit aktual dhe komunikimi aty shton dinamikën pikërisht gjatë orëve të zhvillimit të testit. Kjo e fundit nënkupton se nxënësit/et lirshëm përdorin telefonat gjatë kohës sa zhvillohet testi dhe fotografojnë testet e komunikojnë mes vete duke kërkuar e shpërndarë përgjigjet e testit. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në nivel vendi nuk munden dhe nuk duhet të i mbyllin sytë ndaj këtyre raportimeve. Përkundrazi, është tejet e rëndësishme që raportet e administruesve dhe komisionerëve t’i ballafaqojë me të dhënat e siguruara dhe raportuara nga mediat dhe OShC-të. Është lehtë i identifikueshëm secili grup i rrjeteve sociale, secili/a nxënës/e që komunikon aty dhe rrjedhimisht secila shkollë e klasë e përfshirë në këtë fenomen të dëmshëm. Në këtë kuadër, është lehtë i identifikueshëm secili/a administrues/e dhe komisioner/e që ka pasur përgjegjësinë për sigurimin e mbarëvajtjes së testimit të nxënësve. Mjafton të ketë vullnet për t’i përmirësuar gjërat në këtë sektor tanimë tejet të degraduar. Organizata ETEA e mirëkupton vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit nga 60 në 40 pikë si lehtësim për shkak të pasojave që ka shkaktuar Covid 19 në sistemin arsimor të Kosovës. Por, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk duhet të tolerohet mashtrimi dhe kopjimi masiv, pasi kjo, përveç faktorit të të mësuarit mekanik (përmendësh), përbën shkaktarin kryesor të analfabetizmit funksional, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare kredibile shkon mbi 75%”, thuhet në komunikatë.

Organizata ETEA e mirëkupton vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit nga 60 në 40 pikë si lehtësim për shkak të pasojave që ka shkaktuar Covid 19 në sistemin arsimor të Kosovës.

“Por, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk duhet të tolerohet mashtrimi dhe kopjimi masiv, pasi kjo, përveç faktorit të të mësuarit mekanik (përmendësh), përbën shkaktarin kryesor të analfabetizmit funksional, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare kredibile shkon mbi 75%. Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë duke toleruar vit pas viti kopjimin masiv, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjës së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj. Së fundi, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit ka dëshmuar këtë gjë, ku të gjeturat e tyre flasin për nxënës/e që gjatë viteve të shkollimit kanë notën mesatare 2 në ndërkohë që në teste të tilla kombëtare arrijnë të dalin me rezultate kulminante. Në raportet hulumtuese të organizatës ETEA të zhvilluara përgjatë viteve 2019-2020, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se shfrytëzojnë metoda të kopjimit për të përfunduar obligimet shkollore. Në fakt të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare flasin për të tilla shifra alarmante dhe fenomene të dëmshme brenda sistemit arsimor të Kosovës. Edhe njëherë, organizata ETEA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit që urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore, kulturë kjo që po e degradon edhe më tej sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet në komunikatë./KosovaNews/

Shpërndaje