Ad image

Prindërit kërkojnë pezullimin e testit të arritshmërisë

Kosova News
Kosova News 20:27 -24/06/2022

Këshilli Prindërve të Kosovës vlerëson se testimi i arritshmërisë ishte i dështuar.

“Kryesia e KPK ishte e njëzëshme në konkluzionin se këto testime dështuan të përmbushnin qëllimin e tyre. Përgatitja dhe administrimi i këtyre testimeve vazhdoi të kishte mangësi e boshllëqe të shumta: si në shkallën e vështirësisë (të pa harmonizuar me periudhën e rëndë dyvjeçare që e kanë kaluar nxënësit e testuar por dhe mospërputhjes së profilit të lëndëve me peshën në test); gabimeve të evidentuara në përmbajtje; mangësisë në sigurisë dhe mbrojtje (me deklarime publike për ekspozim të tij nëpër grupe të ndryshme në internet) dhe me evidenca të shumta të dështimit në administrimin e tij (me kopjime dhe keqpërdorime të ndryshme)”, thuhet në njoftim e prindërve.

Sipas prindërve këto teste, si të tilla, po lënë pasoja të rënda në vlerësimin e integritetit, drejtësisë dhe paanshmërisë, duke gërryer besueshmërinë dhe vlerën e arsimit publik në Kosovë.

“ Humbësit më të mëdhenj nga ky proces rezultojnë të jenë nxënësit me integritet dhe familjarët e tyre, e fituesit më të mëdhenj nxënësit e pavetëdijshëm për dëmin që sjell kopjimi dhe keqpërdorimi nëpër testime (i toleruar dhe mundësuar nga mbikëqyrja dhe kontrolli i dobët).”, thuhet në njoftim.

Tutje prindërit thonë se testimet e tilla kërkojnë përmirësim fondamental që të jenë në shërbim të qëllimit, ose duhen pezulluar deri në pjekjen e kushteve për t’u realizuar me integritet dhe paanshmëri të plotë.

“KPK po sot ka diskutuar edhe për çështje të tjera që do t’i ndihmonin organizimit më të mirë dhe arritjes së qëllimeve të këtij Këshilli, si dhe ka përcaktuar një sërë veprimesh për gjysmën e dytë të këtij viti.”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit dje publikoi rezultatet e testeve të arritshmërisë kalueshmëria e të cilit në nivel vendi ishte 50.75. Ndërsa gjatë mbajtjes së këtyre testeve është raportuar për parregullsi dhe kopjim./21Media/

TAGGED: ,
Shpërndaje