Me ftesë të Komitetit Ekonomik Social, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në takimin e Komitetit përcjellës të KESE për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllim promovimin e demokracisë.
Në këtë rast, Nagavci tha se dialogu është hapi i parë drejt identifikimit të problemeve në përgjithësi, por edhe sepse është faktor kyç drejt gjetjes së zgjidhjeve adekuate, për trajtimin e sfidave me të cilat përballemi shumë prej nesh.
“Në fjalën time theksova se arsimi është mjeti më i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror e ekonomik të vendit andaj, kemi ndërmarrë veprime konkrete për të përmirësuar gjendjen në këtë sektor”, ka thënë ajo.
Ministrja Nagavci shtoi se prioritetet tashmë i kanë vendosur në Strategjinë për arsim 2022-2026, e të cilat janë të fokusuara në 5 shtylla kryesore.
“Edukimi në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i infrastrukturës fizike, harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës janë disa nga prioritetet kyçe tonat”, ka shkruar ajo.