Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, Komiteti ndërministror për të drejtat e fëmijëve, që kryesohet nga kryeministri Albin Kurti, ka bashkëbiseduar në një takim me nxënës të shkollave nga komuna të ndryshme të Kosovës.
Në takim u prezantua edhe Raporti për Zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti teksa i uroi fëmijët për ditën e tyre, tha se pavarësisht nga prioritetet e përditshme nuk duhet larguar vëmendjen nga ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve.
“Ne si Qeveri qëndrojmë pas planeve dhe zotimeve tona për të ndërtuar sisteme dhe për të ofruar shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët, e veçanërisht ata që kanë nevojë më shumë”, tha Kurti.
Duke qenë se zbatimi i të drejtave të fëmijëve shpeshherë lidhet me mundësitë financiare, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe për projektet që po realizohen nga fondet e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mes tyre edhe projekti 10 milionësh për mbështetjen e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.
Kryeministri foli edhe për angazhimin dhe masat që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit për të rritur cilësinë e arsimit: hartimin e Projektligjit për fëmijërinë e hershme dhe Projektligjit për tekstet e materialet mësimore, punësimin e 100 asistentëve të rinj për fëmijët me aftësi të kufizuar, ndarjen e 500 bursave për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë prej 150 mijë euro etj./KP