Sot është bërë prezantimi i projektit të objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa udhëhiqet dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS). Në këtë ngjarje mjaft me rëndësi për Universitetin e Prishtinës, veçanërisht për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, morën pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ambasadori i BE-së, Tomáš Szunyog, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe rektori i Universitet të Prishtinës, Naser Sahiti.
Ministrja Nagavci, me këtë rast, tha se realizimi i këtij projekti shënon një hap përpara drejt përmirësimit të infrastrukturës akademike në Kosovë, në veçanti drejt zgjidhjes së problemit shumëvjeçar të njërit prej fakulteteve të para të Universitetit të Prishtinës.
Ajo tha se FShMN-ja do të ketë një objekt i cili përputhet me standardet dhe kërkesat e kohës, duke ofruar kushte optimale për mësim dhe për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, ku përmirësimi i kushteve të punës për studentët dhe stafin akademik, padyshim do të rezultojë edhe me përmirësimin e cilësisë.
“Prioritet i Qeverisë është përmirësimi i sistemit të arsimit dhe një nga pesë objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 2022-2026.
Përveç investimeve në infrastrukturë, do të punohet edhe për zbatimin e standardeve evropiane të cilësisë, ndërlidhjen më të mirë të programeve universitare me tregun e punës, si dhe për rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në institucionet publike të arsimit të lartë.
Falënderoi ambasadorin i BE-së, Tomáš Szunyog, për mbështetjen dhe kontributin për zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Nagavci në fjalën e saj.

Ambasadori Tomáš Szunyog tha se objekti i FShMN-së është dizajnuar që të ofrojë standarde evropiane për studentët dhe mësimdhënësit, kushte këto të cilat do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim, e cila është një nga prioritetet në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vuri në theks s, projekti i prezantuar ndër të tjera do t’u ofrojë mundësi nënave, që krahas studimit të kenë hapësirë edhe për rritjen e fëmijëve.
Ndërsa, rektori i Universitet të Prishtinës, Naser Sahiti, foli për problemet me të cilat janë ballafaquar studentët dhe profesorët e këtij fakulteti në mungesë të një objekti adekuat. Sahiti theksoi se katër fakultete të UP-së, përfshirë edhe atë të Mjekësisë, janë të ndërlidhura ngushtë me kuadrot që dalin nga ky fakultet, thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit./KosovaNews/