Ad image

Agjencia e Kosovës për Akreditim, pjesë e eventit të ENQA-s për cilësinë në arsimin

Jeton Sopa
Jeton Sopa 15:11 -03/06/2022

Një delegacion i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), për dy ditë me radhë ka marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), në Këln të Gjermanisë, ku është diskutuar për procesin e vlerësimit të jashtëm për anëtarësim në ENQA, transmeton KosovaNews.

Delegacioni i AKA-së, i vetmi nga rajoni i Ballkanit, përbëhej nga Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi, Drejtori i Agjencisë Naim Gashi si dhe zyrtari i lartë, Arianit Krasniqi.

Qëllimi i këtij organizimi, ku kanë marrë pjesë 29 shtete të Evropës, ka qenë përgatitja e agjencive të akreditimit për vlerësimin nga ENQA si dhe shkëmbimi i përvojave të mira për cilësinë në arsimin e lartë.

Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takime me krerët e ENQA-s dhe EQAR-it, si dhe me udhëheqësit e agjencive homologe nga Gjermania, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina etj, me të cilët është diskutuar për hapa konkret të bashkëpunimit për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Delegacioni i Kosovës i ka ftuar agjencitë homologe që të jenë pjesë e Konferencës rajonale për cilësinë në arsimin e lartë e cila planifikohet të mbahet në tetor të këtij viti në Prishtinë.

Drejtuesit e AKA-së, kanë prezantuar punën që është bërë në zbatimin e  Udhëzuesve Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ESG) dhe planet për t’ju nënshtruar vlerësimit nga ENQA, për anëtarësim në këtë institucion./KosovaNews

Shpërndaje