Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e ecurisë për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Duke e vlerësuar këtë si njërin nga projektet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës për kujtesën historike, për trashëgiminë kulturore dhe për identitetin tonë, kryeministri në detyrë Kurti tha se Prekazi zë një vend të posaçëm në kujtesën historike të popullit tonë.
“Qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari e shndërruan atë në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe të përkushtimit ndaj lirisë, duke dëshmuar kësisoj se liria nuk është vetëm ideal politik, por edhe vlerë për të cilën flijohet gjithçka”, tha ai.
Kryeministri në detyrë theksoi se trajtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” nuk është vetëm një projekt i planifikimit hapësinor, i konservimit apo i muzealizimit, por një detyrim institucional për të ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet këtë trashëgimi te brezat që vijnë pas nesh.
Pas prezantimit të ecurisë, kryeministri në detyrë Kurti tha se, sipas planifikimit të paraparë, gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës. Ndërsa, shtoi se kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që të iniciojë procedurat e prokurimit për zbatimin e këtyre projekteve, duke shënuar kalimin nga faza e planifikimit dhe projektimit në fazën e ndërhyrjeve konkrete konservuese në terren.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuar Ministre e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci,
E nderuar Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli,
E nderuara Zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit, znj. Nora Arapi Krasniqi,
I nderuar përfaqësues i konsorciumit hartues, arkitekti Eckhard Gerber,
I nderuari z. Thomas Lucking,
I nderuari z. Qendrim Begisholli,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Grupit Menaxhues të Kontratës, dhe ekspertë,
Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot për të diskutuar ecurinë e njërit prej projekteve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës për kujtesën historike, për trashëgiminë kulturore dhe për identitetin tonë: Hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Më lejoni t’u uroj mirëseardhje të veçantë partnerëve nga Gjermania të angazhuar në këtë projekt. Prania juaj këtu dhe puna që zhvilloni me institucionet tona janë dëshmi e bashkëpunimit profesional që po ndërtojmë nga një projekt me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe shtetërore.
Prekazi zë një vend të posaçëm në kujtesën historike të popullit tonë. Qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari e shndërruan atë në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe të përkushtimit ndaj lirisë, duke dëshmuar kësisoj se liria nuk është vetëm ideal politik, por edhe vlerë për të cilën flijohet gjithçka.
Për këtë arsye, trajtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” nuk është vetëm një projekt i planifikimit hapësinor, i konservimit apo i muzealizimit. Ai është një detyrim institucional për të ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet këtë trashëgimi te brezat që vijnë pas nesh.
Që nga themelimi i Komitetit Ndërministror, kemi punuar me kujdes për të ndërtuar bazën profesionale, teknike dhe institucionale të këtij projekti. Janë realizuar studimet e nevojshme, janë angazhuar ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe është organizuar me sukses konkursi ndërkombëtar për hartimin e Master Planit, me synimin që ky proces të zhvillohet sipas standardeve më të larta profesionale.
Përmes këtij procesi kemi siguruar jo vetëm zgjidhje profesionale, por edhe një qasje që e trajton kompleksin si një tërësi historike, kulturore dhe memoriale. Puna që zhvillohet sot nuk kufizohet në hartimin e dokumenteve planifikuese apo projekteve teknike; ajo krijon bazën për ruajtjen afatgjatë të vlerave që përfaqëson Prekazi dhe për mënyrën se si ato do të kuptohen e do të transmetohen në të ardhmen.
Takimi i sotëm është një mundësi për t’u njohur me rezultatet e arritura deri më tani dhe me hapat të cilët na presin në vazhdim.
Për të paraqitur ecurinë e përgjithshme të procesit deri më sot, e ftoj Ministren e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci, që të marrë fjalën.
………
Faleminderit shumë për prezantimin e hollësishëm dhe për punën të cilën e keni realizuar deri më tani nga i gjithë ekipi hartues.
Nga ajo që u prezantua sot, mund të konstatojmë se projekti po avancon në përputhje me planin dinamik të kontratës dhe se dokumentet e hartuara deri më tani dëshmojnë nivel të lartë profesional.
Sipas planifikimit të paraparë, gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës. Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që të iniciojë procedurat e prokurimit për zbatimin e këtyre projekteve, duke shënuar kalimin nga faza e planifikimit dhe projektimit në fazën e ndërhyrjeve konkrete konservuese në terren.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten plotësisht të përkushtuara për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme institucionale, profesionale dhe financiare, në mënyrë që ky projekt të përmbyllet me sukses dhe të realizohet sipas standardeve më të larta teknike e profesionale, në përputhje me rëndësinë historike, kulturore dhe shtetërore që bart për vendin tonë.
Unë ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj.



