Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në një darkë pune Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.
Në takim u theksua vlera edhe rëndësia e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella.
Sekretari Cameron shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në këtë vizitë, që përveçse është e para e tij në Kosovë, është edhe e para për të jashtë vendit për vitin 2024.
Ai u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.
“Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, tha ai në fillim të takimit.
Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohej nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
Vizita e Cameron do të jetë njëditore, ku përveç takimit të sotëm me kryeministrin Kurti, ai të enjten do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.