Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se vonesa e tejzgjatur dhe e paarsyeshme e Gjykatës Kushtetuese në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve dhe akteve tjera të miratuara në Kuvendin e Kosovës është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese dhe i funksionit kushtetues legjislativ të këtij institucioni kushtetues.
Sipas Sallahut jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratur në Kuvend. Ai tha se krejt kjo është bërë për të moscenuar organizimin, funksionet dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.
“Afati i vetëm i respektuar nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit është afati joligjor. Për më tepër, kjo sjellje joligjore e Gjykatës Kushtetuese godet në thelb politikat ligjore të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe funksionet e tyre kushetuese në përmbushjen e interesave të qytetarëve të Kosovës” tha ndër të tjerash ai.


