Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.
“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës dhe gjatë ditës u përlesh me Policinë e Kosovës.
Të dielën, autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë institucionet për zbatimin e ligjit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë edhe sot angazhimet në veri të vendit dhe janë duke i lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se ka armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një polic.
Pas kontrolleve njësitet policore kanë gjetur edhe kufomën e njërit prej terroristëve të vrarë, i cili ishte pjesë e sulmit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.


