Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkushtim për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe, në një takim që patën në Bern të premten.
Kurti ka udhëtuar sot për në Zvicër, ku përveç presidentit Berset, do të takohet edhe me politikanë shqiptarë të cilët po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit.
Në takimin mes Bersetit dhe Kurtit, sipas komunikatës së Presidencës zvicerane, bisedimet iu kushtuan veçanërisht situatës në veri të Kosovës dhe procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Berset ka theksuar mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit dhe bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër në pranverë.
“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, në takim u trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.
Tutje, Berset ka përsëritur se mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës.


