Pas shterjes së debatit, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash ka bërë themelimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
Deri te ky themelim i këtij komisioni ka ardhur pasi opozitarët pretendojnë se ka pasur keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Këtë e ka kundërshtuar pozita, e cila në fund edhe përkrahi themelimin e komisionit për të treguar se është për transparencë.
Në seancën e së enjtes, 69 deputetë votuan pro krijimit të komisionit, gjashtë abstenuan dhe një votoi kundër.
Ndërkaq nga dita e sotme e themelimit ky komision ka për obligim që brenda gjashtë muajve të përpilojë një raport me të gjeturat dhe ta dorëzojë në Kuvend.


