Në tri vendime, Qeveria e Kosovës gjatë muajve të dimrit që shkoi pati ndarë 120 milionë euro për KEK-un dhe subvencionim të energjisë. Nga to, deri tash janë shpenzuar 23 milionë euro, ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të martën në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas saj, 20-milionëshi i parë i ndarë për KEK-un është shpenzuar plotësisht. Nga subvencioni i dyti, prej 10 milionë eurosh, janë shpenzuar tre. Shtatë milionë euro ka thënë se gjenden në llogarinë e KEK-ut. Ndërsa për 90 milionë eurot tjera të ndara, Rizvanolli ka thënë se ato ende janë në Thesarin e Qeverisë.
Qeveria pati arsyetuar ndarjen e mjeteve për tejkalim më të lehtë të krizës me energjinë që pati kapluar vendin gjatë dimrit.
“Për herë të parë po prijmë me diçka”
Duke komentuar grantin për energjinë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ministrja Rizvanolli ka thënë se Kosova për herë të parë po prin me diçka. Bëhet fjalë për bateritë që, sipas projektit, do të shfrytëzohen për rezerva deri në 340 MWh.
Ajo ka thënë se për këto bateri, pas dy vjetësh do të fillojë prokurimi. Ka thënë se nga projekti Kosova do të ketë përfitime të mëdha e të menjëhershme si dhe në afat të mesëm për tranzicionin energjetik.
“Porjekti është inovativ. Po flasim për teknologji të fundit… Kapacitet e baterive në raport me ekonominë tonë dhe numrin e banorëve do të jetë ndër projektet më të mëdha e më të para në Evropë… Jam krenare që kemi shkuar në këtë drejtim e për herë të parë po prijmë për diçka e jo të jemi me dekada prapa. S’do të jetë lehtë, por janë disa hapa të rëndësishëm. Ky është ndër ta”, ka thënë ajo.
Sipas Rizvanollit, projekti ia sjell Kosovës edhe avantazhin e të qenit e para në rajon edhe për ndërtim të shkathtësive të fuqisë punëtore për këtë sektor.
Për projektin parashihet ndarja e parcelave prej disa hektarësh.
Sipas projektit me MCC-në, Rizvanolli ka thënë se parashihet rritje e përfshirjes së grave nëpër projekte të energjisë.
Sa i përket strategjisë për energjinë, Rizvanolli ka thënë se synohet që të ketë siguri që kapacitetet aktuale të jenë më të sigurta. Ajo ka thënë se do të ketë investime prej 390 milionë eurove në rivitalizimin e njësive të Termocentralit Kosova A, si dhe krijimin e 500MWh energji nga era dhe dielli deri më 2025, e deri në 1400MWh deri më 2031.
Sipas saj, marrëveshja që të ketë këmbim të energjisë me Shqipërinë është ndër “gjërat më të mira që janë bërë”.
Ajo ka paralajmëruar edhe ndërhyrje në kornizën rregullative të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për lehtësimin e kontratave për energjinë “duke qenë se s’është situatë normale”. Ka thënë se në nivel politik ka pasur diskutime me Greqinë e Bullgarinë sa i përket energjisë.
Rizvanolli është shprehur e bindur se Qeveria do ta ketë mbështetjen e të gjitha partive për ta ratifikuar marrëveshjen me MCC-në. Ka thënë se pret që në shtator të nënshkruhet marrëveshja e që në gusht të ratifikohet në Parlament.
Dy vjet duhen për fazën përgatitore të realizimit të projektit e pesë vjet për zbatimin e plotë./kd/